Bota muzikore shqiptare, sot kremton përvjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar, Prenk Jakova, i cili u lind në Shkodër, më 27 Qershor 1917. Që në bangat e shkollës mori pjesë në jetën e pasur muzikore, duke u aktivizuar si korist, instrumentist, aktor, e më pas, dirigjent kori e bande. Për vite të tëra, punoi si mësues në fshatrat e Shkodrës dhe të Mirditës. Pikërisht në këtë kohë, kompozoi një album me këngë për fëmijë dhe një operetë. Pas çlirimit, punoi në Shtëpinë e Kulturës, krijoi korin dhe orkestrën dhe i drejtoi ato, ashtu sikurse për tre dekada, drejtoi gjithë veprimtarinë muzikore të rrethit. Më 28 Nëntor 1945, ai rikompozoi, përgatiti dhe shfaqi melodramën “Juda Makabe” të Gjergj Fishtës, që mendohej të jepej dhe në Tiranë, por u ndalua nga autoritetet e larta. Në vitin 1947, korri sukses me “Dasmën shkodrane”, unikale për nga lloji i vet dhe më 1952, me pasazhin muzikor “Dritë mbi Shqipëri”. Më 1958, Prenk Jakova, kompozoi operan e parë shqiptare “Mrika”, që u shfaq me shumë sukses, po atë vit nga amatorët shkodranë, nën drejtimin e autorit. Fill pas kësaj, nga pena e tij doli edhe opera, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në trashigiminë muzikore të Prenk Jakovës, përfshihen edhe një seri këngësh të njohura, që janë kthyer në këngë popullore, si dhe mjaft romanca, kantata, etj. Për krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij të pasur, ka merituar titullin “Artist i Popullit” dhe shkolla e muzikës në Shkodër, mban emrin e tij.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
14 Shtator 1895, lindi Shadie Asllani, patriote e aktiviste për emancipim të grave
-
14 Shtator 1919, “Dy shërbëtorët” u luajt nga një trupë amatore në Shkodër
-
14 Shtator 1921, lindi Ndreko Rino, shkrimtar dhe publicist
-
14 Shtator 1927, u nda nga jeta mikja jonë e madhe amerikane Isador Dunkan
-
14 Shtator 1932, u ndaluan të gjitha shkollat e huaja që vepronin në Shqipëri