Bota shqiptare e arteve të bukura sot, përkujton piktorin Fadil Pëllumbi. Studimet e larta, i ndoqi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Nga peneli i tij në vitin 1939, doli pllakati i parë shqiptar. Një vit më pas, realizoi një seri punimesh në akuarel: pejsazhe, kompozime, portrete, shumica e të cilave u riprodhuan nga firma e njohur “De Agostini” dhe u shpërndanë në Itali, Shqipëri dhe më gjerë. Mbas diplomimit, u kthye në Atdhe dhe punoi si illustrator librash. Ndër punimet e kësaj kohe, ra në sy pllakati “Nana Kosovë”. Në dhjetor të vitit 1944, në Tiranën e shkatërruar nga lufta, piktori hapi ekspozitën e parë vetjake dhe një vit më pas, organizoi ekspozitën e parë të artizanatit. Në ato vite të vështira për vendin, piktori ndihmoi për prezantimin dinjitoz të Shqipërisë dhe botës shpirtërore të popullit tonë, në botën e jashtme. Më 1946, ai projektoi pavionin shqiptar në Panairin Ndërkombëtar të Zagrebit, ekspozitën “Shqipëria e Re”, që u hap në Rumani dhe Bullgari; më 1949, projektoi pavionin shqiptar, në Panairin e Poznanit në Poloni dhe atë të Pragës. Në veprat e ekspozuara, në Festivalin Botëror të Rinisë në Pragë, në korrik-gusht të 1947, ai meritoi “Diplomë Nderi”. Me punimet e tij ka marrë pjesë, në të gjitha ekspozitat kolektive të hapura në vendin tonë dhe ka hapur 7 ekspozita vetjake, ndër të ciiat shquhet ekspozita me veprat, që pasqyronin tërmetin e vitit 1967 dhe ekspozita që hapi në Galerinë e Arteve, në vitin 1992.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
22 Tetor 1367, fëmijët e të “kamurve” merrnin mësime private
-
22 Tetor 1451, Andrea Aleksi pikturon Lozhën madhështore të Ankonës
-
22 Tetor 1835, kryengritja e Hamza Kazazit i kushton shtrenjt myftiut dhe tre pashallarëve
-
22 Tetor 1880, 1000 vullnetarë shqiptarë luftuan për të mbrojtur Ulqinin
-
22 Tetor, dy perandorë të Evropës duan kontrollin e administratës shqiptare