Gazetari, shkrimtari dhe piktori amator, Albert Shala, u lind në Shkodër, më 30 Gusht 1943. Në vendlindje mori arsimin fillor dhe të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike të Universitetit të Tiranës, ku kreu dhe kursin 2-vjeçar të gazetarisë. Pas shkollimit, për gati 40 vjet punon si gazetar. Rrugën e gazetarisë, e nisi në redaksinë e informacionit të Radio-Tiranës, ku u shqua me punën e tij, në sektorin e jashtëm. Dhjetra e qindra shënime, komente e biseda, mbi ngjarjet ndërkombëtare, janë transmetuar nga mikrofoni i radios së parë shqiptare. Pas 8 vjet punë intensive dhe me shumë përgjegjësi, u transferua në gazetën lokale të Krujës, “Kastrioti”, ku sefte punoi si redaktor dhe më pas, si kryeredaktor. Nga viti 1981, e deri sa doli në pension, ka punuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Veç artikujve gazetaresk, Albert Shala, ka botuar në shtypin e kohës edhe shkrime letrare. Nga pena e tij, kanë dalë edhe romane të suksesshme. Apartamenti i tij i thjeshtë në Tiranë, është i mbushur me piktura të një niveli të lartë, që i ka punuar për vete dhe të afërmit e tij në kohën e lirë.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
12 Shkurt 1882, në Shkodër u luajt drama e poetit arbëresh Leonardo de Martino
-
12 Shkurt 1891, lindi Petref Pogoni, arsimtar i dekoruar me Urdhërin “Kalorës i Legjionit të Nderit”
-
12 Shkurt 1919, Qeveria e Durrësit kërkon kthim të mëvetësisë
-
12 Shkurt 1931, në atentatin kundër Zogut në Vjenë, mbeti i vrarë adjutanti i tij Llesh Topollaj
-
12 Shkurt 1932, lindi në Përmet mjeku Mantho Nakuçi

