Inisiativë dhe Ekspozitë e QKIPK, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

Në kuadër të 29 Shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ka ndërmarrë inisiativën për dokumentimin, regjistrimin e Dijenive të Mjeshtërisë së Punimit Tradicional për një nga instrumentet më të lashtë muzikorë të popullit tonë Cylja Dyjare (Longaria, Biculja) si dhe “Ekspozitën e Instrumenteve Muzikore Tradicionale”, në fshatin Zhulat, Gjirokastër në 28 Shtator 2016. Një pjesë e eksponateve të kësaj ekspozite janë vënë në disponim nga Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH).
Nisma vjen në zbatim të Strategjisë së Ministrisë së Kulturës, objektivave dhe detyrave që ka Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore në zbatim të Ligjit nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, Konventës për Ruajtjen e Trashëgimisë Jomateriale, Unesko 2003, për krijimin e Regjistrit Kombëtar të dukurive dhe elementëve të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale (TKJ) të Gjallë dhe plotësimin e dosjes së Dukurive për “Kryeveprat e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Kombëtare”.
Cylja dyjare ka origjinë të lashtë, fakt të cilin studiuesit e lidhin me artifakte arkeologjike të gjetura dhe ruajtura në vendin tonë. Nga gjurmimet studimore ajo është përcaktuar, se ruhet në Shqipëri dhe konkretisht në zonën Jugperëndimore, pak a shumë në krahinën që quhet Labëri.
Nga specialistët e QKIPK, është hartuar pyetësori dhe metodologjia e plotësimit të dosjes, është bashkërenduar puna me mjeshtër të punimit dhe interpretues të këtij instrumenti në Zhulat, Gjirokastër. Në këtë fshat ruhet dhe vazhdon të gjallojë një punishte e vogël, që ka punuar dhe vazhdon të punojë instrumente tradicionale muzikore të traditës së krahinës. Punishtja është në banesën e familjes Këraj.
Do të dokumentohen dijenitë dhe praktika reale e punimit të këtyre instrumentave muzikor tradicional dhe plotësohet dosja e Dijenisë së Punimit të Cyles Dyjare (Longari).
Praktikim i gjallë i kësaj Dukurie:
Me të gjithë Instrumentet muzikor të ekspozuar do të demostrohen melodi nga mjeshtrit ose interpertues të fshatit. Do shihet konkretisht procesi i punës të punimit të këtyre instrumenteve në punishten e familjes Këraj.
Ju mirëpresim në Zhulat, Gjjirokastër
Në 28 Shtator 2016 ora 11:30

QKIPK Shtator 2016

Materiali është marrë në faqen e Facebook: “Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore”

Leave a Reply