Ekspozita e Historikut të Flamurit Kombëtar 1910-1937 & Tryeza e Rrumbullakët me temë: “Origjina e lashtë e flamurit shqiptar”

Në një atmosferë të vakët përkujtimore, ndër të paktit që u kujtuan për Ditën e Flamurit ishin pikërisht të rinjtë. Dy ditë më parë, Rrjeti i Studentëve Shqiptarë në Botë (AS@N), zhvilloi një tryezë të rrumbullaktë me titull ‘Origjina e Lashtë e Flamurit Shqiptar’ dhe ekspozitën ‘Historiku i Flamurit Kombëtar Shqiptar 1910-1937’. Tryeza e kryesuar nga studiuesi i heraldikës shqiptare, Jaho Brahaj, u organizua me pjesmarrjen e të rinjëve shqiptarë të diplomuar jashtë vëndit  dhe studentëve në degën e Historisë në Fakultetin e Tiranës, të cilët morën pjesë në një debat të hapur mbi temën e flamurit, rëndësinë e trashëgimisë kombëtare dhe angazhimit  të  të rinjëve në mbrojtjen  dhe promovimin e saj . Ekspozita u mundësua  nga një prej koleksionistëve dhe ekspertëve  të simboleve shqiptare, Shpëtim Sala. Një nga temat që ngjall gjithnjë  kuriozitet mes të rinjëve është ajo e simbolit të shqiponjës dykrerëshe. Cila është origjina e saj dhe çfarë ka simbolizuar ajo për shqiptarët në periudha të caktuara të historisë së tyre. Një informacion interesant solli mbi këtë temë studiuesi Brahaj, i cili ofroi në mënyrë kronologjike rrugëtimin që shqiponja ka bërë deri në ditët tona. Sipas tij, shqiponja dykrenare është dokumentuar nga paraardhësit tanë që në shek.VI para Krishtit. ‘Që në periudhën e Bronzit kemi nga parardhësit tanë, me formën e artit të lashtë, të dëshmuara koka të shpendit me drejtime të kundërta  në objekte kulti dhe zbukurimi, po që gjithmonë edhe këto të dytat kanë ngarkesa religjioze të besimeve të lashta. Dy kokat e shpendit kultik janë të pranishme në të gjitha epokat që kaloi populli ynë deri në ditët e sotme…Në lashtësi dhe në vazhdim shqiponja dykrenare përfaqëson fuqinë diellore në këtë e atë botë, botën tokësore dhe botën e përtejme, ditën dhe natën, si një trup i vetëm që ekziston i shfaqur vetëm me njësinë brenda unitetit të dyzuar’, thotë Brahaj, teksa numëron të gjitha dëshmitë që na vijnë për adhurimin dhe përdorimin e këtij simboli, që nga periudha protoilire, ilire, për të vijuar më vonë  në periudhën e Skënderbeut, kur ishte symbol i familjes së Kastriotëve e më vonë, në ngritjen e flamurit në Vlorë, në vitin 1912.

Leave a Reply