9 Maj 1967, vdiq Dhimitër Pasko, apo siç njihet me pseudonimin Mitrush Kuteli

Bota shqiptare përkujton Dhimitër Paskon, apo siç njihet me pseudonimin Mitrush Kuteli, ekonomist dhe shkrimtar i shquar. U lind në Pogradec dhe u diplomua për shkencat ekonomike në Bukuresht. Gjatë pushtimit të vendit, ai mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por pas çlirimit përjetoi kalvarin e burgjeve dhe përndjekjeve. Dhimitër Pasko, ka lënë studime ekonomike me vlera të mëdha, por në popull ai njihet më shumë për krijimet e tij letrare, për gjuhën e pastër shqipe. Tregimet e para i botoi, që në vitin 1920, duke krijuar stilin e tij, që u shërbeu edhe shumë kolegëve më të rinj. Në krijimtarinë e tij, ka mjaft novela, vjersha dhe poema, por edhe kritikë letrare, kushtuar kryesisht Fan Nolit dhe Lasgush Poradecit. Përmbledhja “Tregime të moçme shqiptare”, mbetet një nga kryeveprat e letërsisë për fëmijë. Nga pena e tij janë prurë shqip dhe disa prej kryeveprave të letërsisë botërore. Një thesar të vërtetë, i ka lënë Mitrush Kuteli kulturës shqiptare. Krijimtaria e Dhimitër Paskos, është përmbledhur në 5 vëllime dhe zë një vend nderi në fushën e letrave dhe kulturës shqiptare. Vdiq më 9 Maj 1967.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare