5 Korrik 1996, u nda nga jeta mjeku Arjan Xhumari

Në moshën 50-vjeçare, më 5 Korrik 1996, u nda nga jeta mjeku Arjan Xhumari, një ndër pionerët e neurokirurgjisë shqiptare, që la gjurmë në shkencat mjekësore shqiptare dhe më gjërë. Që në vogëli, u shqua për prirjet dhe talentin në muzikë, pikturë dhe skulpturë, por përfundimisht iu përkushtua mjeksisë. Studimet e larta, i filloi në Pragë dhe i përfundoi në Fakultetin e Mjeksisë, në Tiranë. Në vitin 1970, u specializua në Francë, për neurokirurgji dhe dy vjet më pas, kreu operacionin e parë, në aneurizmën e arterieve të trurit. Disertacioni i tij për klinikën e tumoreve intrakranial, te fëmijët, u vlerësua si një përvojë e vlefshme, jo vetëm për neuroshkencën shqiptare, por edhe atë europiane. Krahas punës praktike, mjeku i ri u angazhua edhe në mësimdhënien për përgatitjen e mjekëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, ku drejtoi edhe Klinikën e Neurokirurgjisë. Me nismën e tij, u ngritën dhe kurse pasuniversitare, për specializimin e neurokirurgëve që punonin në rrethe. Arjan Xhumari, ka përfaqësuar me dinjitet mjekësinë tonë në botën e jashtme, me pjesëmarrjen e tij në tubimet shkencore ndërkombëtare, si dhe nëpërmjet botimit të artikujve shkencorë në shtypin e huaj mjekësor. Ai ishte anëtar i disa shoqatave të huaja mjekësore dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare

Leave a Reply