21 Qershor 1932, lindi në Dibër të madhe, pishtari i arsimit dhe kulturës shqiptare, Lutfi Marku

Pishtari i arsimit dhe kulturës shqiptare në Dibër dhe më gjërë, Lutfi Marku, u lind më 21 Qershor 1932, në një familje atdhetare, në fshatin Bohmovë, në Dibër të madhe. Shkollimin fillor e atë të mesëm, e kreu në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen, shkollën pedagogjike të Shkupit, e në vitin 1971, përfundoi Fakultetin Filologjik në Shkup. Pas diplomimit, u punësua si arsimtar në Dibër, ku u dallua si pedagog, organizator i zhdërvjelltë, si në proçesin edukativo-mësimor, ashtu dhe në veprimtarinë kulturore. Në vitin 1970, u emërua drejtor dhe dhjetë vjet drejtoi Pallatin e Kulturës në Dibër. Falë përkushtimit dhe punës së zellshme dhe fisnike, që ushtroi Lutfi Marku, dekada 1970-1980, njihet si periudha më e frytshme e më e pasur me aktivitete kulturore, në historinë e re të Dibrës e më gjërë. Në këtë periudhë u organizuan shumë koncerte, shfaqje, ekspozita etj. Kur në skenat dibrane, u ngjitën disa asamble shtetërore kombëtare dhe ndërkombëtare, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora etj.; kur Asambli “Liman Kaba”, nga Dibra, nën udhëheqjen dhe organizimin e Lutfi Markut, ndërmori turne në Tiranë, Shkodër, Krujë, Elbasan, Vlorë, Peshkopi, Kosovë, Gjermani, Belgjikë, Francë etj. Në këtë kohë, Palfati i Kulturës në Dibër, nën kryesinë e Lutfi Markut, organizoi shkollat e dramës, koreografisë, pianos, violinës, fizarmonikës, klubin letrar, rrethin e artit, gjuhëve të huaja, pingpongut, shahut, bilardos, ndërsa biblioteka e pallatit të kulturës aso kohe, ishte një ndër rnë të pasurat me libra, në rajon dhe numëronte më se 1300 anëtarë. Në vitin 1980, Lutfi Marku, u emërua drejtor i Gjimnazit të Dibrës, ku u ballafaqua me shumë sfida e peripeci nga më të ndryshmet, veçanërisht pas demostratave studentore të Kosovës, në vitin 1981, kur edhe në Dibër, sigurimi shtetëror, ushtronte fushatën e përndjekjeve, burgosjeve dhe diskriminimit të nxënësve dhe profesorëve. Në një situatë të tillë, në Pallatin e Kulturës, ashtu edhe në Gjimnazin e Dibrës, drejtori Lutfi Marku, diti që me vendosmëri, mençuri dhe guxim, t’ju bëjë ballë sfidave dhe njëkohësisht të qëndrojë i palëkundur, në mbrojtje te kolegëve dhe nxënësve të tij. Lutfi Marku, “Simboli i Dibres”, sikurse e pat cilësuar Prof.Dr. Mahmut Hysa, u shua me 23 gusht 2008. Ai vdiq, për të ngelur simbol i papërlyer i një itelektuali, patrioti dhe veprimtari.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare

Leave a Reply