16 Qershor 1882, lindi bashkëkombasi ynë arbëresh Gaetano Petrota

Bashkëkombasi ynë arbëresh Gaetano Petrota, u lind në Horën e Arberëshëve, në Siçili të Italisë, më 16 Qershor 1882. Studimi “Sprovë e fonetikës krahasimtare të gjuhës shqipe”, botuar më 1924, u nderua me çmim nga Akademia Italiane Lincej. Por kryevepra e tij mbetet, “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, që doli në dritë në vitin 1931. Në të Petrota, pasqyroi historinë e letërsisë shqipe dhe të studimeve albanologjike për çështjet e alfabetit, gramatikës, dialektologjisë, leksikografisë, historisë së gjuhës, etnografisë, folklorit, historisë së kulturës, etj. Petrota është themeluesi i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, më 1932, të cilën e drejtoi deri sa vdiq, më 1952. Ai ka lënë edhe monografinë “Letërsia shqiptare e arbëreshe”, “Zhvillimi historik i kulturës dhe i letërsisë shqiptare”, “Çështje etniko-gjuhësore greko-shqiptare”. Bashkë me arbëreshin Pal Skiroi, botuan disa pjesë nga Gjon Buzuku. Petrota ka lënë në dorëshkrim edhe një gramatikë shqipe të së folmes arbëreshe, si dhe një fjalor frazeologjik të arbëreshëve të Siçilisë.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare

Leave a Reply