QMKSH dhe MHK hapin në 28 Nëntor ekspozitën e plotë të Flamurit kuq e zi.

Dita Kombëtare e Shqiptareve si çdo vit do të vishet me ngjyrat kuq e zi në Shqipëri e kudo, ku jetojnë shqiptarët. Shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, vizitorë të huaj e kuriozë, veç aktiviteteve të shumta, që pritet të zhvillohen në Tiranë, mund të bëhen gjithashtu pjesë e një ekspozite për simbolin e kombit, flamurin, që do të hapet në ambientet e Muzeut më Historik Kombëtar në 28 Nëntor. Padyshim kjo do të jetë ekspozita më e kompletuar në mbarë trojet shqiptare me këtë tematikë. 50 flamuj të shqiptarëve, të periudhave e krahinave të ndryshme, do të prezantohen në stendat e kësaj ekspozite, që hapet në orën 11. Në ekspozitë do të paraqiten 40 flamuj, pronë e Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH) dhe 10 flamuj të depozituar në fondet e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë e rradhës së QMKSH-së, vjen si një bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar për të sjellë një ekspozitë të plotë, të pasur e padyshim mjaft interesante.

Vizitorët në këtë event do të mund të gjejnë copëza të çmuara të historisë sonë kombëtare. Janë 50 flamuj kombëtare, 40 prej tyre pronë e QMKSH, që nga Aleandro Kastrioti 1906 deri më 1944, të ruajtur nga familja Sala e Toptani. Ky koleksion i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë u nis me flamurin e qëndisur më 1919 nga bashkëshortja e patriotit Sali Sala dhe u trashëgua brez pas brez. Më i rralli  në këtë koleksion është flamuri-emblemë i klubit “Gjuha Shqipe” në Shkodër, i vitit 1910, i cili është ideuar nga Kel Marubi. Ky flamur ka vlerë të madhe historike, pasi në Shqipëri janë gjithsej 2 flamuj-emblema unikë: Flamuri i Shoqërisë “Dëshira”, i cili u realizua nga Polikseni Luarasi në 1892 dhe flamuri i klubit “Gjuha Shqipe”, i vitit 1910, ideuar nga Kel Marubi, që  disponohet nga QMKSH. Disa nga këta flamuj kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve historike mjaft të rëndësishme për mbarë kombin shqiptar. Ato janë shpalosur në ngjarje të ndryshme përkujtimore, si flamuri e vitit 1905, i cili ka marrë pjesë në kryengritjet në veri të Shqipërisë, flamuri i Klubit “Gjuha Shqipe”, në Shkodër që ka shoqëruar mbledhjet e takimet e Gjergj Fishtës e Kol Idromenos, që diskutonin për ruajtjen dhe përparimin e gjuhës shqipe, apo flamuri i realizuar në vitin 1908 nga Shoqëria “Besa Besë”, ardhur nga Amerika në Korçë, që ka marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të Korçës etj.

Këta famuj kombëtarë, QMKSH i ka blerë duke i kërkuar e gjurmuar ngado dhe të tjerë flamuj i janë dhuruar asaj nga familjarët, miqtë apo dhe dyqanet e antikuarëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të gjithë këto eksponate të çmuara do të jenë në këtë ekspozitë në 28 Nëntor në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitë që  fton të gjithë shqiptarët të prekin udhëtimin e simbolit të tyre kombëtar. Veç flamujve kuq e zi, në këtë ekspozitë do të prezantohen edhe objekte të tjera si ballë arke me gdhendje shqiponje, qëndisma me shqiponjë, si dhe objekte të tjera që datojnë që nga shek. XVIII.

Nga flamujt që do paraqiten në MHK 45 janë origjinalë dhe 5 të tjerë janë riprodhime të cilët shërbejnë për të plotësuar kronologjinë e imazhit të flamurit në etapa të ndryshme historike.

QMKSH ka organizuar shumë ekspozita mbi 40  të tilla, brenda Shqipërisë, në trojet etnike të banuara nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, por edhe jashtë trojeve shqiptare si Hungari etj.

Leave a Reply