Një poemë e pabotuar dhe e pazakontë e lirikut më të madh shqiptar

19 mijë e 308 fletë dorëshkrime të Lasgush Poradecit, 8562 fletë shkrimi, 3662 fletë gazete, 26 revista, 1606 fotografi dhe kartolina, 315 ftesa dhe telegrame, 296 partitura, 14 harta, 8 kartëmonedha, 11 dekorata, 7 certifikata, 12 pulla postare, janë e gjithë pasuria e poetit, që tashmë i është dhuruar Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit Shqiptar. E po kështu një pjesë tjetër e dorëshkrimeve tw tij, të bijat, Marie dhe Kostandina Gusho, i kanë dorëzuar edhe më herët në Arkivin e Muzet Historik Kombëtar. Sipas tyre kjo ka qene edhe dëshira e të atit.

Në një letërkëmbim të poetit, që i përket datës 23 tetor 1939, Lasgushi i shkruan Mitrushit, kur ai ndodhej në Bukuresht: “I dashur Dhimitraq! Dorëshkrimet e mia mos u nxito t’i japësh në Akademi aty në Rumani. Kujdestarja e tyre të jetë Mëma Shqipëri, këtë dëshirë kam. Në Rumani mund t’i lesh me kusht të përkohshëm, vetëm në rast urgjence dhe rreziku. Zoti mos e dhënë ashtu”.

Kjo arkivë e pasuruar me siguri është një burim i mirë për stiudiuesit e letërsisë dhe jo vetëm. Stiudiuesi Moikom Zeqo thote se po punon dhe aktualisht është në përfundim të një libri studimor dhe eseistik kushtuar lirikut Llazar Gusho, edhe në një dimension tjetër të tij, atë të piktorit. “Midis te tjerash kam shtjelluar Lasgushin edhe si piktor”,- thotë Zeqo.

Në dorëshkrimet e poetit, Lasgush Poradeci ruhet e papublikuar edhe një tekst poetik, i shkruar në gjuhën rumune, që mban titullin “Poemul” (“Poema”).

“Poema në rumanisht duket e çuditëshme, dhe ka një humor transparent”, konstaton stiudiuesi Moikom Zeqo.

Lasgushi e ka shkruajtur këtë poemë në vitin 1921, gjatë pesë ditëve të konkursit për pranimin në Akademinë e Arteve të Bukura të Bukureshtit, ku poeti konkuroi për të studiuar në degën e pikturës.

Njihuni me këtë  poemë – ditar, të shqipëruar  nga mjeshtri Dionis Bubani!

 

POEMA

 

(E pesë ditëve të konkursit për pranimin në vitin e parë dhe të katërt në Shkollën e Arteve të Bukura ,në Bukuresht.)

 

Poezia e ditës së parë

 

Në një kënd të Bukureshtit,

Në shkollën e Arteve të Bukura,

Se ç’u mblodhën si ndër përralla

Djemtë dhe vajzat belkëputura.

 

Në Sallën e madhe të Pikturës

Për në konkurs po vizatojnë,

Dhe tek krijojnë pëshpërisin

Ato që zemrat u këndojnë.

 

Disa bëjnë plot shakara,

Ca nga halli vijnë vërdallë, –

Me vështrimin fort të rreptë

Sekretari hyn në Sallë!

 

Ëmbël duke buzëqeshur,

U avitet, kaq e pat:

Mbetën shtang djemtë dhe vajzat

Heshtin siç hesht një sahat…

 

Strofat e ditës së dytë

 

Po hesht Venera, po heshtin

Në mjedisin qelibar…

Oh, se ç’qetësi dhe paqe!

Si statujë përmbi varr!

 

Dhe tavani i tejdukshëm

Si një Muzë ndër vegime

Për secilin konkurent

Fal nga lart plot frymëzime…

 

Vargu i ditës së tretë

 

Ja, pra dhe dita e tretë

Erdhi shpejt si pa kuptuar;

Dhe djelmoshat edhe vajzat

Sikur janë të gëzuar;

 

Sikur ndjejnëAdami dhe Eva

Një ekstazë si në Edén,

Vizatoi djali dhe vajza…

Dhe atyre u pëlqen…

 

Një poezi më vete

 

(Në vend të nënëshkrimit te skica e një konkurenti)

 

Kur nuk jam fort i trishtuar,

Shkruaj, o bëj një portret –

Dikush thotë se jam artist,

Tjetra thotë se jam poet,

Unë hesht si një profet…

 

Kënga e ditës së katërt

 

Kupleti nr. 1

 

(Nën vizatimin e profilit të një kandidati të rreptë)

 

E Venerës fort antike,

Je krenari autor!

I ri është dhe na quhet

Radulesku Nikifor.

 

Kupleti nr. 2

 

(Nën karikaturën krijuar një ardeleani)

 

Kush na qënkërka djaloshi?

Ëngjëll a shejtan vërtetë?

S’është as shejtan, as ëngjëll:

Zoti Manu, dora vetë…

 

Kupleti nr. 3

 

(Nën skicën e krijuar një artisti mendimtar)

 

Ky njeri është artisti

Me emrin Barkush:

E krijoi për të piktori

I cili quhet Lasgush.

 

Zonjushës Maurika

 

Pasi biseduam,

Lodhja s’të shkoi bosh,

Ta bëra portretin;

Që të më kujtosh.

 

Por nuk di se kush

I përmëndi mikes

Mua më je lutur?

O unë Maurikes?

 

Poezia e ditës së pestë

 

(Teza e të premtes)

 

Në konkursin e së premtes

Erdhën mjaft të rinj të mbarë:

Vajza fort të ndrojtura,

Djema guximtarë.

 

Dhe u mblodhën që të gjithë

Për tezën përfundimtare;

Seç vërshuan nëpër salla

Pa e çarë kokën fare.

 

Por asnjeri nuk arriti

Vizatimin ta mbarojë:

Dhe e mënçura dhe i marri

Mbetën më gishin në gojë…

 

– “O ti nudo, o ti nudo!

Muzë që nuk turpërohesh!

Kush na thotë të vërtetën,

Pse je zverdhur dhe ankohësh?…”

 

– “Rri e çmendur mes sallonit,

Shtang kam mbetur, ndjenj një njollë,

Se nuk e mora provimin

Dhe kam mbetur sot pa shkollë…”

 

O ti shkollë “Belle Arte”,

Që fatin na ke përdhosë:

Mos të jesh kurrë e lumtur

Zjarri ty të të shkrumbosë!…

 

Lamtumirë

 

A jeni gjigandë,

Apo shkurtabiqë,

Me mall ju përshëndes

O të dashur miq!

 

Qofshit porsi dimëra,

O të trishta fare.

Përshëndetje dhe nderime

Artiste krenare!

 

Nenshkruar : P. LASGUSH

Shqipëroi nga gjuha rumune Dionis Bubani

Leave a Reply