Gjyqtarët ankimojnë Vettingun; Kushtetuesja pranon kërkesën

Ligji i Vettingut duhet të kalojë sërish në provën e Gjykatës Kushtetuese. Unioni dhe Shoqata e gjyqtarëve janë bashkuar në një padi të re kundër disa neneve specifike të Vettingut, si dhe të disa pikave në dy ligje të tjera bazë të reformës në drejtësi.

Bëhet fjalë për ligjin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe të statusit të gjyqtarëve.

Por ndjeshmëria më e madhe mbetet tek ligji i Vettingut, sepse zbatimi i tij lidhet direkt me procesin e integrimit të vendit.

Një nga pikat më delikate të ankimuara të gjyqtarëve lidhet me kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë, por gjyqtarët thonë se duke përfshirë në verifikim “edhe persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar”, sipas “informacioneve konfidenciale” pa një vendim të formës së prerë, kjo mund të çojë në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut.

Kur u miratua ligji, verifikimi i figurës, përveç kontrollit të pasurisë, u konsiderua si një nga shtyllat e procesit të Vettingut. Ai u mbështet publikisht si nga amerikanët, ashtu edhe nga europianët me argumentin e Komisionit të Venecias se masat drastike të Vettingut ishin të pranueshme për të zgjidhur një situatë si ajo në drejtësinë shqiptare.

Ndërkombëtarët janë të shqetësuar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e Shoqatës dhe Unionit të Gjytarëve kundër ligjit të Vettingut, ligji që u gjykua njëherë në fund të vitit të kaluar pas një kërkese të Partisë Demokratike, kërkesë që u rrëzua.

Tashmë ky ligj, pas marrëveshjes së 18 majit ka mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për ngritjen e Komisioneve të Vettingut.

Një fakt i pazakontë për të tilla çështje është edhe shpejtësia me të cilën Gjykata Kushtetuese është mbledhur dhe ka vendosur në më pak se një javë nga dorëzimi i kërkesës dhe ka vendosur të mos bëjë seanca publike, por ta gjykojë çështjen shpejt dhe mbi bazë dokumentash.

Top Channel mësoi se Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Kuvendit, si pala e vetme në gjykim, që të paraqesë qëndrimin e tij për secilën nga pikat e kundërshtuara prej gjyqtarëve deri në datën 22 qershor.

Koha, që është edhe kulmi i fushatës elektorale, përkon edhe me periudhën që Parlamenti duhet të vendosë për ngritjen e Komsioneve të Vettingut, një proces që po kryhet me opozitën, por ende i papërfunduar.

Të martën, Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn bëri të qartë se Vettingu në formën e miratuar dhe që po zbatohet është kusht i panegociushëm për çeljen e negociatave, pas një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm më 25 qershor.

***

Në kërkesën e Unionit dhe Shoqatës së Gjytarëve thuhet se disa nene që përcaktojnë kushtet e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Konkretisht, kërkohet nga Kushtetuesja shfuqizimi i nenit 7, pika A dhe C, ku përcaktohet se gjyqtarët në kohën e kandidimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të kenë ushtruar funksionin e gjyqtarit për të paktën dhjetë vjet dhe të jenë të vlerësuar “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të performancës etike dhe profesionale.

Kërkohet gjithashtu edhe shfuqizimi i pikës 1 të nenit 59, ku thuhet se kryetari dhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhen në mbledhjen e parë të KLGJ-së nga radhët e anëtarëve që nuk janë gjyqtarë dhe me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve. Këtu, gjyqtarët kërkojnë që të hiqet fjala “zëvendëskryetari”.

Gjyqtarët kërkojnë gjithashtu ndryshim edhe në pikën 8 të nenit 62, ku thuhet se Komisioni i Planifikimit Strategjik dhe Administrimit të Buxhetit përbëhet nga dy anëtarë jogjyqtarë dhe një anëtar gjyqtar. Ata kërkojnë që të hiqen fjalët “dy anëtarë jogjyqtarë dhe një anëtar gjyqtar”.

E njëjta gjë kërkohet edhe për pikën 13 të nenit 62, që përcakton shqyrtimin e ankimimeve të vendimeve të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Kërkesa e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve është bërë që më datë 25 maj dhe mësohet se është pranuar nga Gjykata Kushtetuese.

Marre nga mapo.al

Leave a Reply