Në një nga lagjet më të vjetra të qytetit, e njohur si lagjia “Burimat”, fare pranë shtëpisë së Lasgush Poradecit, në një ndërtesë dykatëshe më 14 Mars 1887 u hap shkolla e parë shqipe në Pogradec. Atë 14 Mars 1887 kur 11 nxënësit e parë kaluan pragun e kësaj mësonjëtoreje, fynte erë dhe binte borë. Qyteti dhe fshatrat përreth Pogradecit ndjenë se kishte filluar një kohë e re, koha e të mësuarit me librat e gjuhës së mëmës, të cilën shqiptarët e kishin ruajtur në shekuj si gjuhë që flitej por nuk shkruhej. Të ngjitet mallëngjimi në grykë kur përfytyron sot sesi uleshin në stola e postiqe nxënësit e vegjël myslimanë, ortodoksë dhe të krishterë.
Mësuesi i parë i kësaj shkolle Koço Sotiri nga Gjirokastra kishte mbërritur në Pogradec pikërisht për këtë shkollë. Ai dha mësim nën dritën e zbehtë të kandilit duke përdorur pllaka dhe plumbçe në vend të fletoreve dhe lapsave. Qytetarët e mirë Ndini dhe Sotir Gusho falën ndërtesën e tyre për shkollë, ndërkohë që Kajo Babjeni dhe patriotë të tjerë e mbrojtën shkollën me armë në dorë. Por, pati edhe patriotë të tjerë që dhanë jetën për të mbrojtur shkollën shqipe dhe abetaren si Gjok Shqiptari, Aleks Hoshteça, Dhimitër Misha etj. Kjo folezë e dashur dhe e thjeshtë është pikënisja e arsimit dhe kulturës që do të mbetet në qiellin e arsimit dhe kulturës is ylli i mëngjesit.
Në sallën e galerisë së arteve në Pallatin e Kulturës ‘Lasgush Poradeci’ është përkujtuar në mënyrë krejt të veçantë 124 vjetori i shkollës së parë shqipe të qytetit. E hapur vetëm një javë pas asaj të Korçës , më 14 Mars 1887, shkolla ‘festoi’ ditëlindjen e saj. Në sallën qëndrore të galerisë u ekspozuan qindra fotografi , faksimile dhe dokumente të panjohura mbi të. Ekspozita u hap nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së qytetit Artan Shkëmbi, kryetarit të shoqatës së koleksionistëve të Shqipërisë, Shpëtim Sala. Shumë prej dokumenteve u sollën në ekspozitë nga dr. Jovan Basho, i cili në arkivin e tij familjar ruan një numër të madh faksimilesh dhe fotografish nga shkolla e parë shqipe e Pogradecit. Në kohën kur u hapën këto dy shkolla, Faik Konica shkruantë se në Shqipëri kishte mbi 3000 shkolla dhe asnjë në gjuhën shqipe. Çelja e këtyre të dyjave më 7 Mars 1887 ishin si dy gonxhet e para që çelën për të ndriçuar mëndjen e shqiptarëve.
Midis materialeve të shumta të ekspozuara ndodhej edhe nje dokument mjaft interesant i Sami Frashërit, ku rilindasi shkruante se në këto dy shkolla të para të porsa hapura ka qënë ulur së bashku me fëmijë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Kryetari i Bashkisë Artan Shkëmbi, në fjalën e tij u shpreh i entuziazmuar para këtij materiali të bollshëm të kohës. “Nuk e prisja që kjo ekspozitë të kishte këtë prurje kaq të madhe me dokumente, fotografi dhe faksimile. Besoj se ky është vetëm, fillimi, pasi në të ardhmen ne do të realizojmë projekte të tjera madhore sepse kjo histori e çmuar që kemi në dorë ende nuk është çmuar në përmasat që meriton”-deklaroi kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. Profesor Jovan Basho, një nga autorët dhe koleksionistët e kësaj ekspozite në mënyrë lakonike, theksoi se “ajo hapet në një kohë kur themelet e kombit janë të tronditur si asnjëherë tjetër nga politkanë, pseudo-politikanë madje dhe qeveritarë…” Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqipatrë Shpëtim Sala, ndër të tjera tha: “Mësonjëtoret shqipe të Korçës dhe të Pogradecit u pasuan nga shumë të tjera në qytete e fshatra të shqipërisë. Ato u bënë pionerët e përgatitjes së kulturës kombëtare. Shkollimi në gjuhën shqipe, çoi në homogjenizimin dhe vëllazërimin e kombit shqiptar, formoi armën më të fuqishme në duart e tij, në mbrojtje nga synimet ekspansioniste të të huajve”.
Gazeta Shqiptare, 13 Mars 2011