Agim Faja, piktori emblemë i një qyteti të vogël

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Agim Faja, i njohur si një nga piktorët më të mirë shqiptarë, shndërruar në një emblemë për qytetin e tij të vogël, Shijakun, ndërsa bashkëqytetarët e tij e përcollën dje për në banesën e fundit

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Agim Faja, i njohur si një nga piktorët më të mirë shqiptarë, shndërruar në një emblemë për qytetin e tij të vogël, Shijakun, ndërsa bashkëqytetarët e tij e përcollën dje për në banesën e fundit. Piktori që njihet si ilustrues i abetares, do mbahet mend prej shumë breza, duke e identifkuar edhe si piktori i abetares. Ndërsa disa nga tablotë e tij qëndrojnë të ekspozuara prej një jave në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit, ku piktori Agim Faja u paraqit së bashku me 14 kolegë më të rinj nga qyteti i Shijakut. I bllokuar në karrige për shkak të shëndetit të rënduar artisti shijakas vazhdonte të vizatonte dhe të shkruante. “Emri i artistit është i lidhur shumë ngushtë me Shijakun, qytetin ku lindi dhe punoi gjithë jetën. Edhe shtëpia e tij mjaft e thjeshtë ndodhet vetëm pak metra larg qendrës së zhurmshme, në një nga rrugët e ngushta që shkojnë drejt periferisë. I mësuar me njerëzit, Agim Faja nuk ishte nga ata artistë që kërkojnë vetminë për të pritur ‘muzën krijuese’ ”, shkruan për të agjencia telegrafike e lajmeve. Në studion e vogël në hyrje të oborrit ka patur vazhdimisht njerëz ndërsa në tavolinën e studios dalloheshin dhjetëra fletë të bardha, të mbushura me një shkrim të bukur e të rregullt sikur të ishin përgatitur në një shtypshkronjë të specializuar. Agim Faja ishte ilustruesi i “Abetares”, librit të parë të fëmijëve shqiptarë për më shumë se 15 vjet. Ilustrimet e tij vinin pas atyre të Abdurrahim Buzës dhe Qamil Guranjakut, të cilët kishin punuar me abetaret pas vitit 1945. Ilustrimet ishin një nga pikat e forta të Piktorit të Merituar Agim Faja. Në vitin 1966 ai merr përsipër të ilustrojë “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve shqiptarë me legjendat e Mujit e Halilit, me zanat  dhe orët e malit. Gjithsej 35, të gjitha origjinalet e ilustrimeve që janë riprodhuar me mijëra herë në faqet e librit të Mitrushit të madh, Agimi i Shijakut i ka vendosur pas xhamave të mbërthyer në mur. Bashkë me to kanë zënë vend tablo të ndryshme, vizatime, studime e punime të hershme. Në 55 vjet karrierë artistike, Agim Faja ka hapur 11 ekspozita, të cilat kanë shëtitur në qytete të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Punimet e tij janë ekspozuar në Egjipt, Kinë, Algjeri, Turqi, Rumani, Kosovë, Francë, Itali e Gjermani, dhe një pjesë kanë mbetur atje në koleksionet private apo shtetërore. Disa vjet më parë bashkë me djemtë Arditin dhe Ergysin dhe me nipin Francin, edhe ata piktorë, artistët Faja përkujtuan në Shijak 50-vjetorin e ekspozitës së parë figurative në qytetin e vogël. Agimi do të mbahet mend gjatë edhe për kontributin në hartimin e historisë së Shijakut, një vepër në 5 vëllime, ku janë grumbulluar prej vitesh kujtime nga të moshuarit, grimca folklori të zonës, dokumente dhe foto, një pjesë e të cilave janë botuar në formën e broshurave.

Leave a Reply