Më 30 Qershor të vitit 1903, u lind në Korçë, pedagogu, historiani, “Mësuesi i Popullit” Petraq Pepo. Ai mbaroi Liceun Kombëtar dhe Shkollën e lartë Normale, në Francë. Që në bangat e shkollës, drejtoi lidhjen studentore, “Shpresa” dhe revistën me të njëjtin emër, mori pjesë në bandën e qytetit dhe në batalionin e liceistëve, në përkrahje me armë të Revolucionit të Qershorit. Në Paris, studenti shqiptar, ndiqte leksionet dhe njëkohësisht, jepte gjuhën dhe retërsinë shqipe në institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes. Me diplomën franceze në xhep, dha në Liceun e Korçës lëndët e historisë, gjeografisë dhe greqishtes së vjetër dhe për bashkëqytetarët, organizoi konferenca interesante gjeografike dhe historike. E kujtojnë profesor Pepon dhe disa breza nxënësish të Normales së Elbasanit. Nuk e harruan mësuesin antifashist edhe këmishëzinjtë e Duçes; dy herë i vunë prangat atij dhe e mbytlën në qeli. Pas çlirimit, ai ishte pedagogu i parë i shkollave të larta, që u ngritën në ato vite, kur edhe buka mungonte, studjuesi i parë në Institutin e Historisë. 65 vjet, deri sa mbylli sytë, ai s’e rreshti arsimdhënien dhe hulumtimet. Disa breza intelektualësh, që e kujtojnë dhe biblioteka e tërë me artikuj dhe librat e botuar prej tij, e bëjnë profesor Pepon të përjetshëm.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
8 Maj, Dita Kombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe
-
8 Maj 1786, u dha premiera e tragjedisë “Skënderbeu”, në skenën e Teatrit Francez në Paris
-
8 Maj 1910, u zhvillua beteja e Carralaves, ndërmjet kryengritësve shqiptar dhe ushtrive osmane
-
8 Maj 1926, u përfundua marrëveshja ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Serbo-Shqiptare
-
8 Maj 1937, Mbreti Zogu I dekretoi Ligjin për ndryshimin e emrave të disa qyteteve, fshatrave, lagjeve, lumenjve, etj

