31 Mars 1435, shënohet fillimi i rrugës krijuese të mjeshtrit durrsak Andrea Aleksi

Një kontratë e lashtë, që mban datën 31 Mars 1435, shënon fillimin e rrugës artistike të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Andrea Aleksi. Në tërë mbishkrimet e veprave të tij, ai shënonte origjinën durrsake, ku lindi në vitin 1425. Që fëmijë, mërgoi bashkë me të atin në qytetin Split të Dalmacisë. Andrea Aleksi u bë i njohur si skulptor dhe arkitekt, që në moshën 18 vjeçare. Në vitin 1452, punoi si arkitekt në Shebenik, më 1454, bëri statujat e llozhës së tregëtarëve në Ankonë të Italisë dhe zbukurimin me afreske të kishës së lashtë në ishullin Arbe të Dalmacisë. Në vitin 1467, përfundoi pagëzimoren e Trogirit, që është cilësuar si kryevepra e tij. Andrea Aleksi dhe krijimtaria e tij mbeten pjesë e historisë tonë, pjesë e thesarit të artit dhe kulturës arbërore.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare