Që në shekullin XII, në trojet e sotme të Shqipërisë së Mesme u krijua principata e Arbërisë. Sundimtari i parë i saj ishte Progoni, më pas erdhi Gjini dhe pas vdekjes së tij fronin e sundimtarit e zuri i vëllai Dhimitri. Kalimi i sundimit në formë trashëgimie tregon jo vetëm forcimin e pozitave politike e shtetërore të prijësve arbëreshë por edhe lindjen e një dinastie arbërore. Jo rastësisht Dhimitri e quan veten “arhond i madh” që do të thotë kryezot, princ i Arbërisë. Si kryezot i Arbërisë ai u njoh edhe në arenën ndërkombëtare. Në letrën që i drejtonte, më 28 Shkurt të vitit 1208, Papa Inocenti III, e quan atë burrë fisnik, princ i arbëreshëve. Një vit më vonë, po ky papë e quan Dhimitrin “gjykatës i arbëreshëve”, titull që kishte kuptimin e sundimtarit. Letra e 28 Shkurtit 1208, është ndër dokumentat e paktë që ka arritur deri në ditët tona dhe ka një rëndësi të madhe sepse është një lloj letre diplomatike apo letre kredenciale. Nëpërmjet saj Ati i Shenjtë, sikurse bëhet në dokumentat diplomatike të këtij lloji, porosit që arkidiakoni i dërguar prej tij të pritet me nderime.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
15 Shtator 1621, Pjetër Budi i shkruante kardinalit Gacadini; pavarësisht nga gjëndja e rëndë nën zgjedhën dhe ndasitë fetare, shqiptarët janë gati të luftojnë
-
15 Shtator 1821, Salvadori dhe Hondurasi, vënde mike me ne, kremtojnë sot festën kombëtare
-
15 Shtator 1878, Lidhja Shqiptare e Stambollit, shpall në gazetën “Terxhumani shark” të Sami Frashërit programin 7 pikësh
-
15 Shtator 1897, lindi Fuad Asllani, diplomat i shquar
-
15 Shtator 1904, doli në Romë “Lajmëtari i Shqypnisë”, revistë e drejtuar nga Gaspër Jakova-Mërturi