12 Qershor 1939, lindi Profesor Doktor Uran Asllani

Në Tiranë, më 12 Qershor 1939, u lind profesor Doktor Uran Asllani. Arsimin e kreu në vendlindje. Pas diplomimit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dha mësim në gjimnazet e Lezhës dhe të Peqinit. Më pas, punoi në industrinë ushqimore në Elbasan. Nga viti 1991, drejtoi Departamentin e Kërkim Zhvillimit, pranë firmës DUCROS-ALBAN IE. Veprimtarinë kërkimore shkencore, e ka filluar që në vitin 1966, me botimin e dy artikujve të parë. Më pas, emri i tij ndeshet në Buletinin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, ku janë botuar disa artikuj studimorë, që trajtojnë problemet e kimisë së esencave. Më 1988, botoi monografinë, “Esencat bimore aromatike të Shqipërisë”. Vitet e fundit, ai ka botuar dhe 3 vëllime biografike të studentëve shqiptarë, që janë diplomuar në Robert Kolegjin Amerikan të Stambollit, si dhe në institucionet e larta arsimore të Austrisë dhe të Francës. Profesor Asllani ka marrë pjesë edhe në veprimtari shkencore ndërkombëtare dhe kumtesat e mbajtura prej tij, janë botuar në shtypin shkencor të Vjenës, Stambollit, Tel Avivit, Seviljes dhe SHBA-së. Ai është ndër personalitetet shqiptare që është përfshirë edhe në enciklopedinë e Kembrixhit, “Who’s Who in the 21-st centur”, për vitin 2003.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare

Leave a Reply